Gjeografia e Prizrenit
From Wikipedia, the free encyclopedia
Komuna e Prizrenit me sipërfaqe prej 640 km2 (5.94% e territorit të Kosovës) gjendet në jugperëndim të Kosovës me 74 vendbanime dhe me rreth 175,000 banorë. Kufizohet me Komunat e Gjakovës, Rahovecit, Suharekës, Shtërpces, Dragashit, Mamushës si dhe me Shqipërinë dhe Maqedoninë. Rrafshi i Prizrenit gjendet në lartësi mbidetare rreth 400 metra dhe disa maje të Sharrit kalojnë lartësinë 2000 metra të lartësisë mbide- tare. Klima e qytetit është e llojllojshme. Gjeografi i famshëm nga Aleksandria Klaudius Ptolomeu (87-150) në veprën e tij “Gjeografia” përveç tjerash evidenton edhe rrugën që ka lidhur pellgun e Adriatikut me brendinë e Ilirisë. Autori anonim nga Ravena e Italisë që jetoi kah fundi i shek.VII apo fillimi i shek.VIII në veprën e tij “Cosmograpfia” (Përshkrimi i botës) në mesin e 5 mijë e 300 emrave gjeografik të botës së asaj kohe evidenton edhe Therandën. Hartat gjeografike evidentohen me këto emra:Thermidava,Theranda, Petrizen, Zeranda, Prisdiana, Pirenopojë , Perserin, Prisrend, Prizren etj. Mendohet se jeta e Prizrenit fillon me Therandën e lashtë. Përmes anës së Prizrenit kalon rruga më e shkurtër që bashkon pjesën qëndrore të Gadishullit Ballkanik me detin Adriatik. Pozita regjionalo-gjeografike e Prizrenit më së miri mund të shqyrtohet me analizën e pozitës së tij në relacion me Kosovën, rrafshin e Dukagjinit dhe rrafshin e Lumbardhit. Kosova përbëhet prej fushave të Kosovës dhe Dukagjinit. Fushat e Kosovës dhe Dukagjinit janë në pjesën e mesme të Gadishullit Ballkanik. Kosova dhe me të edhe rrethi i Prizrenit ka karakter tranzit ndërmjet regjioneve Panonike dhe Pontike në njërën anë dhe regjionit të Egjeut-Adriatikut në anën tjetër.
Fshatrat me më së shumti banorë në komunën e Prizrenit janë:
- Fshati Zhuri (popullata: 8,000)
- Fshati Korisha (popullata: 6,000)
- Fshati Gjonaj (popullata: 5300)[1]
Pozita gjeografike dhe rajonale të Prizrenit më së miri mund të shihet me analizën e pozitës së tij në raport me Kosovën dhe rajonin e Dukagjinit. Shteti Kosovar i përkasin Fusha e Kosovës dhe Rrafshi i Dukagjinit.
Pozita e mire gjeografike, rajonale dhe resurset e pasura natyrore, pasuria historike e artefakteve kulturore formon bazën e zhvillimit te turizmit në komunen e Prizrenit.[2]
Prizreni është një qytet i lashtë/antik i vendosur përgjatë Maleve të Sharrit dhe përgjatë lumit Lumbardhi i Prizrenit. Topografia e Prizrenit ka një strukturë të valëzuar. Lartësia mbidetare shkon nga 300 deri në 2,476 m brenda kufijve.
Ndërsa qendra e qytetit është e përqendruar në sipërfaqe të sheshtë, topografia kodrinore është vërejtur përgjatë anës perëndimore, dhe sidomos përgjatë anës lindore.